Gjermania humb Tomas Mylerin për Hungarinë, ndoshta edhe ndaj Anglisë!

U rikthye në kombëtare ashtu si futbollisti i Dortmundit, Mats Humels, por duket se fiziku nuk po i bindet plotësisht. Tomas Myler nuk do të luajë për Gjermaninë në ndeshjen e fundit në grup në “Alianc Arena” të Mynihut për shkak të një dëmtimi, ndërsa është në dyshim të madh edhe për ndeshjen e mundshme të raundit që dytë që mund të jetë ndaj Anglisë. Një lëndim në gju në sfidën e fituar 4-2 ndaj Portugalisë ishte fatal, të paktën për disa ditë, ndërsa ende nuk dihet sesa mund të jetë koha e saktë e rikuperimit për sulmuesin 31-vjeçar të Bajernit. Myleri u dëmtua në minutat e fundit në Mynih, ndërsa trajneri Joakim Lëv mund të ketë edhe probleme të tjera. Mats Humels, Ilkai Gyndogan dhe Lukas Klosterman janë në dyshim për të mërkurën, duke mos u stërvitur gjatë të ditës së sotme. Gjermania ka 3 pikë në grupin F, po aq sa Portugalia, ndërsa Franca kryeson me 4, ndaj edhe sfida me Hungarinë është mjaft e rëndësishme.

Sfidanti.al