Kontraste/Bollëk në Angli, “mjerim” në Shqipëri

Në kulmin e debatit ndërkombëtar për shkeljet tashmë të faktuara të Manchester City-t për shpenzime marramendëse që kapin vlerat e buxheteve të disa shteteve, në botë, por edhe në Shqipëri, kemi një tablo tjetër: vështirësitë financiare të klubeve që futbollin nuk arrijnë ta përkthejnë në industri… siç e do zakoni i UEFA-s dhe FIFA-s.

Paralelisht me çështjen “Manchester City”, prej muajsh, në qarqet institucionale të futbollit kemi edhe një përplasje “titanësh” mes UEFA-s dhe FIFA-s, pikërisht për mënyrën se si do të fitohen dhe menaxhohen paratë e lojës.

Të dyja institucionet e trumbetojnë me të madhe ndihmën për të “varfrit”, sepse kjo, me siguri, është një temë shumë herë më populiste, por realiteti, prej dekadash, vazhdon të mbetet i njëjtë: të pasurit shkelin ligje e thyejnë rregulla, ndërsa të varfrit mbeten në pritje të “thërrimeve” nga “padronët”.

Për analogji, nëse krahasojmë, për shembull, debatin anglez me problemet në Shqipëri, duket sikur po përmendim “litarin në shtëpinë e të varurit”.

Në Superiore, një pjesë e madhe e klubeve nuk janë rentabël prej shumë e shumë vitesh dhe kjo reflektohet në hapjen e mbylljen e derës së merkatos së tyre nga FIFA, pikërisht për shkak të mungesës së seriozitetit, likuiditetit dhe transparencës, ndërsa vështirësitë financiare mbeten përherë aty, kërcënueshëm edhe për klube si Tirana apo Vllaznia.

Kontrast i frikshëm me Anglinë, ku hallet janë të tjera, sepse janë pikërisht institucionet si FIFA dhe UEFA që futbollin e kanë ndarë në klasa, ku luftohet për luks dhe… mbijetesë.

 

 

Pirro Bardhyli