Carlo Ancelotti ka reaguar ndaj kritikave të ashpra të Romarios, i cili ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit italian nga drejtimi i kombëtares së Brazilit. Ish-sulmuesi legjendar, kampion bote me Brazilin në vitin 1994 dhe aktualisht senator në shtetin e Rio de Janeiros, shprehu përmes rrjeteve sociale pakënaqësinë e tij për punën e Ancelottit, duke kërkuar largimin e tij nga stoli i ‘Seleçaos’. I pyetur nga gazetarët për deklaratat e Romarios, tekniku italian zgjodhi t’i përgjigjej në spanjisht, duke mos e dramatizuar situatën.
“Është liri e shprehjes dhe, në një vend demokratik, të gjithë mund të kenë një opinion. Romario dha mendimin e tij dhe të gjithë kanë të drejtë të thonë gënjeshtra, të vërteta apo marrëzi. E vërteta është se Romario flet shumë dhe është në të drejtën e tij”, deklaroi Ancelotti. Trajneri italian foli gjithashtu për punën e tij në krye të Brazilit, duke pranuar se skuadra ka ende shumë për të përmirësuar. “Është një punë e re për mua dhe më pëlqen shumë ajo që po bëjmë, por mendoj se nuk mjafton. Duhet të bëj më shumë dhe do ta bëj. Më pëlqen të jem këtu, më pëlqen të drejtoj kombëtaren dhe duhet të përmirësohem. Duhet të bëj më shumë që Brazili të rikthehet konkurrues. Ka kaluar shumë kohë që kur nuk jemi më një skuadër konkurruese”, u shpreh ai.
Ancelotti komentoi edhe humbjen ndaj Japonisë, duke theksuar se rezultatet nuk duhen parë të shkëputura nga procesi i rinovimit të skuadrës. Sipas tij, stafi teknik po teston futbollistë të rinj dhe po përpiqet të ndërtojë një ekip të fortë për të ardhmen. “Është e qartë se kjo është një periudhë prove. Po testojmë lojtarë të rinj, duke nisur nga Gabriel Bontempo, André dhe Jonathan Jesus. Vlerësimet janë shumë pozitive. Gjithmonë duam të luajmë mirë, por është e vështirë të eksperimentosh, të rinovosh skuadrën dhe njëkohësisht ta kesh ekipin plotësisht gati. Të gjithë besojmë se jemi në rrugën e duhur. Vazhdojmë me shumë besim dhe do të testohemi ndaj Singaporit”, tha trajneri. Në fund, italiani pranoi se Brazili ka nevojë për më shumë përmirësime në repartin defensiv, por shprehu bindjen se projekti i tij do ta rikthejë kombëtaren mes ekipeve më të forta në botë.

