Kosova përgatitet për Austrinë

Kombëtarja e Kosovës është rikthyer në Prishtinë pas barazimit pa gola ndaj Izraelit në Debrecen dhe ka nisur përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij grumbullimi.

“Dardanët” zhvilluan të enjten mbrëma një sfidë të luftuar ndaj Izraelit, e cila përfundoi me rezultatin 0-0. Menjëherë pas rikthimit në Kosovë, skuadra ka kthyer vëmendjen nga përballja e radhës, këtë herë ndaj Austrisë.

Përzgjedhësi Franco Foda zhvilloi këtë të premte, seancën e parë stërvitore në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Në dispozicion të teknikut gjerman ishin 14 futbollistë.

Lojtarët që e nisën nga minuta e parë ndeshjen ndaj Izraelit nuk morën pjesë në stërvitjen me grupin. Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, titullarët zhvilluan një seancë rigjeneruese në palestër në hotel, me synimin për të rikuperuar energjitë pas sfidës në Debrecen.

Tashmë, i gjithë fokusi i “Dardanëve” është te Austria, kundërshtari i radhës në Ligën e Kombeve. Kosova dhe Austria do të përballen të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një ndeshje të rëndësishme për përfaqësuesen e drejtuar nga Franco Foda.