Hamilton: Të fitosh 100 gara duhet një kohë e gjatë!

E diela e lumtur e Rusisë do të mbetet në kalendar si ditë e shënuar për të. Ljuis Hamilton u bë i pari pilot në historinë e Formula 1 që fiton 100 gara në karrierë, ndërsa prej kohësh ka lënë pas ish-rekordin e Mikael Shumaherit me 91. Rivalët e tjerë janë shumë prapa, pasi Sebastian Fetel ka 53 fitore, Alen Prost 51, Airton Sena 41, Fernando Alonso 32, ndërsa pretendenti i tanishëm për titull, Maks Verstapen ka 17 fitore.

“Të fitosh 100 gara duhet një kohë e gjatë, – tha anglezi më pas, – së pari dua të falenderoj tifozët, pasi ishin të shkëlqyer. Moti nuk ishte më i miri i mundshëm, por krijoi një garë të jashtëzakonshme. Unë nuk e dija nëse do të arrija të fitoja 100 gara, madje nuk e dija se mund të fitoja këtë herë. Skuadra mori vendimin e duhur. Ishte një garë shumë e fortë me Landon (Norrisin). Nuk ishte e lehtë për shkak të rivalitetit, por edhe për shkak të problemeve që patëm një ditë më parë. Maksi (Verstapeni) padyshim që zhvilloi gjithashtu një garë të madhe”.

Sfidanti.al