Protestat ishin të shumta nga ana e Romës dhe e trajnerit Zhoze Murinjo. Që të gjithë lojtarët verdhekuq u hodhën përpjetë dhe portugezi i ulëriti gjyqtarit të katërt duke i thënë se “ishte penallti”. Fjala ishte për kontaktin në zonën laciale mes Zaniolos së Romës dhe Elseid Hysajt, mbrojtësit kuqezi të Lacios. Një moment kulmor i derbit sepse në vend të një penalltie që pretendoi Roma, erdhi kundërsulmi i bardhekaltërve që përfundoi me golin e Pedros për 2-0. Gjyqtari kryesor Guida nuk dha penallti, dhe më pas u këshillua me VAR-in. Përfundimi ishte sërish që kontakti Hysaj-Zaniolo nuk ishte në nivelet për penallti dhe goli i Pedros u quajt i vlefshëm. Në një farë mënyre, mbrojtësi i kombëtares shqiptare shërbeu një “asist” në fitoren e derbit nga skuadra e tij.
Sfidanti.al