Goli i 100-të në Premier Ligë, goli i duhur i Ronaldos për t’ia dedikuar bebes së shuar!

Pavarësisht kritikave që ka marrë këtë sezon, nuk mund të thuhet se ajo që po ndodh tek Mançester Junajtidi është faji i tij. Përkundrazi, Kristiano Ronaldo e bën thuajse gjithnjë detyrën, dhe këtë herë pati një dedikimtë veçantë dhe prekës pasi realizoi në portën e Arsenalit. Ishte minuta e 34-ët kur superylli portugez e dërgoi topin në rrjetë, dhe më pas ngriti duart dhe sytë drejt qiellit. Goli ishte për beben e tij të shuar gjatë lindjes së binjakëve nga shoqja e tij, Georgina Rodrigez. Për një rastësi, ai ishte goli i duhur për t’ia dedikuar të birit, sepse ishte i 100-ti për të në Premier Ligë. Një histori e gjatë suksesi që nisi në 2003.

Një dedikim të veçantë Ronaldo e pati edhe nga tifozët e Arsenalit, të cilët ndërprenë lojën në minutën e 7-të në stadiumin “Emirejts” me brohoritjen e radhës, duke ndjekur shembullin e tifozëve të Liverpulit në “Anfild”. Për fat të keq, ai gol dhe momentet emocionuese ishin të vetmet kujtime pozitive që Kristiano mori me vete nga Londra. Mançester Junajtidi u mund 1-3, në një ndeshje me polemika, ku njëri gol ishte me penallti, të dhënë pas shqyrtimit dy herë me VAR. Fillimisht, u anulua goli i Arsenalit, e pastaj penalltia u akordua dhe u shënua nga Saka. Një hero edhe shqiptari i Zvicrës, ish-kapiteni i “topçinjve”, Granit Xhaka. Shqiptari nga Kosova shënon rrallë, por kur e bën është i veçantë. Arsenali u ngjit në 60 pikë me 33 ndeshje, ndërsa Junajtidi është në vend të 6-të me 54 me një ndeshje më shumë, në rrezik për të mos u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al