Mund të jesh në parket mbi 38 minuta nga 48 gjithsej, mund të shënosh 37 pikë dhe të jesh i saktë në gjuajtje 64 për qind, madje 67 për qind për tri pikë, mund të kapësh 18 topa në tabela, të shërbesh 5 asistë dhe të vjedhësh 3 topa, e sërish të mos e fitosh dot ndeshjen. Kjo i ndodhi Nikola Jokiçit që shkëlqeu fort për Denverin ndaj Golden Stejtin, porse përballja e tretë e plej ofit përfundoi me humbje. Ish-kampionët e NBA-së fituan 118-113, falë treshes së tyre të artistëve si Stefën Kërri, Klej Tompson dhe Xhordan Pul. Basketbollistët anësorë shënuan 80 pikë së bashku (26 Tompsoni e nga 27 dy të tjerët), ndërsa 9 lojtarë të Golden Stejtit realizuan pikë për fitoren e arritur në Kolorado. “Luftëtarët” kryesojnë 3-0 në serinë e plej ofit dhe Jokiç, lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në NBA, është në prag të eliminimit. Siç thuhet, pranvera nuk vjen me një lule.
Sfidanti.al