Federata Botërore e Automobilizmit, me komisionet e saj përkatëse, e hodhi poshtë apelimin e Ferrarit për dënimin e Sebastian Fetelit në Çmimin e Madh të Kanadasë. Kjo do të thotë se la në fuqi vendimin e komisarëve të garës, që i shtuan gjermanit 5 sekonda, duke bërë që ai të humbiste fitoren në favor të Ljuis Hamiltonit, kampion i botës dhe kryesues i Botërorit të sivjetshëm në Formula 1.
Tashmë, kur kanë kaluar thuajse 2 javë që nga incidenti mes Fetelit dhe anglezit në Montreal, piloti i Ferrarit duket shumë më i qetë, duke e marrë këtë vendim me sportivitet. “Ç’të bëj tani që m’u refuzua ankesa? Të tërhiqem!”, – u përgjigj ai kur u pyet. “Të paktën, tashmë nuk do ta fus veten në telashe, këtej e tutje”, – vazhdoi ai me ironi. Katër herë kampioni i botës është në vend të tretë në renditjen e pilotëve, me 100 pikë ndaj 162 pikëve të kryesuesit Hamilton.
Sfidanti.al