Arp vlerësohet si Levandovski numër 2, por Bajerni ka dyshime

Është 19 vjeç dhe Bajerni mendon se ia vlen të investohet tek ai. Quhet Jan-Fite Arp dhe që prej moshës 10-vjeçare bën pjesë tek Hamburgu, ku luan në rolin e qendërsulmuesit. Me moshën e re dhe shtatlartësinë prej 1.87 metrash, me mjaft talent dhe nuhatje për golin, ai vlerësohet si lojtari ofensiv i së ardhmes, edhe pse karriera ka pasur oshilacione.

Në tetor 2017, Arp u bë i pari lojtar i lindur në vitin 2000 që shënonte gol në Bundesligë, duke realizuar ndaj Hertës. Gjithsesi, sezonin e kaluar në kategorinë e dytë nuk arriti të përsëritej, edhe pse Bajerni vendosi ta merrte, duke e lajmëruar këtë në shkurt të këtij viti. Për momentin, vështirë se ai mund të përballojë konkurrencën në skuadrën e trajnerit Niko Kovaç, ku në sulm vazhdon të “mbretërojë” Levandovski, ndaj ai mund të kalojë tek Bajerni II.

“Ne kemi nevojë për një sulmues që të na garantojë gola, – tha trajneri i Bajernit U23, Sebastian Hënes, nipi i presidentit Uli Hënes, – Arp dhe Alfonso Dejvis mund të jenë ata që duhet, ndonëse tek Bajerni asnjëherë nuk është e lehtë”. Gjithsesi, Arp ka besim tek vetja. Jo më kot ai shënoi 17 gola në 18 ndeshje për Gjermaninë U17, dhe ka 2 gola në 5 ndeshje për Gjermaninë U19.

Sfidanti.al