Amir Rrahmani “prek” Serinë A, shqiptari i Kosovës pritet të shkëlqejë!

Kjo skuadër, vitin e ardhshëm do të luajë në elitë, dhe për të do të jetë edhe një shqiptar. Helas Verona fitoi të drejtën për në Serinë A, nëpërmjet plej ofit të Serisë B, dhe këto ditë pritet të prezantojë Amir Rrahmanin, mbrojtësin e përfaqësueses së Kosovës. Futbollisti i Dinamos së Zagrebit mbylli ciklin në Ligën e Parë të Kroacisë, ku luajti prej 4 vjetësh, ndërsa tani do të provojë veten në një nga pesë ligat e mëdha të Europës.

“Verona, e kryer për Rrahmanin”, shkruan “kalçomerkato.it”, për transferimin e mbrojtësit të Kosovës. Një tjetër faqe italiane në internet, “helas 1903”, informon se klubi veronez do t’i paguajë Dinamos së Zagrebit 2.1 milionë euro për kartonin e 25-vjeçarit, ndërsa vizita mjekësore pritet të jetë të martën e ardhshme. Seria A natyrisht ishte një tërheqje më e madhe për shqiptarin e lindur në Prishtinë, sesa një aventurë tek Sëlltiku në Premier Ligën e Skocisë, apo tek Standardi i Liezhit në Belgjikë.

I vlerësuar si talent i së ardhmes, Rrahmani e nisi karrierën tek Drenica në Kosovë, pastaj për dy sezone veshi fanelën e Partizanit në Shqipëri, ku u dallua që në moshën 19-vjeçare. Më pas shkoi në Kroaci, tek RNK Spliti, ku disa herë u shpall si pjesë e formacionit të javës në elitën e futbollit kroat. Në vitin 2016 kaloi tek Dinamo e Zagrebit, për një vit huazim tek Lokomotiva, ndërsa përfundimisht u bë një nga lojtarët kryesorë të klubit më të madh të Kroacisë.

Rrahmani pritet të shkëlqejë edhe për Veronën në Serinë A, ndërsa kombëtarja shqiptare mund të thuhet se e humbi para 3 vjetsh. Luajti dy ndeshje për ekipin tonë përfaqësues duke shënuar edhe gol ndaj Kosovës, u la jashtë Euro 2016-ës nga ish-trajneri De Biazi, duke zgjedhur përfundimisht të luante pikërisht për Kosovën.

Sfidanti.al