“Plebeu” Sarri në “sarajet aristokrate” të Juventusit, do t’ia dalë njeriu i popullit?!

Parisi e meriton një meshë, thoshte dikur Napoleoni. Mauricio Sarri me siguri ka thënë se stoli i Juventusit e vlen të heqësh tutat tradicionale për një kostum luksoz. Kështu u prezantua trajneri napolitan në klubin më të famshëm të Italisë, veçse për hir të së vërtetës, duhet thënë se traditën e kishte prishur që në Londër. Me kostum, edhe në shfaqjen për herë të parë në “Stemford Brixh” si trajner i Çelsit.

Gjithsesi, Juventusi është tjetër gjë, diçka që e kuptoi edhe një njeri me përvojë si tekniku 60-vjeçar. Për të kuptuar madhështinë e një klubi të tillë, duhet ta shohësh nga afër, dhe Sarri pohoi se në 30 vjet karrierë nuk kishte parë më të vendosur dhe më ambiciozë për të fituar sesa tek Juventusi. Një napolitan 24-karatësh, pra një jugor nga ata që veriorët e Italisë i quajnë me tallje “terroni”, nuk mund të mos emocionohej që arriti deri këtu.

“Kam 30 vjet që punoj si trajner dhe ky është kurorëzimi i një rrugë të gjatë, – tha Sarri, – 80 për qind e së cilës ishte mjaft e vështirë”. Pra, që nga viti 1990, deri në 2015 kur u zgjodh nga Napoli. Nuk dihet sesa do të mundet një njeri i rritur në nivele shumë më popullore, të përballojë një sfidë që mund ta quash aristokratike, për atë që përfaqëson Juventusi, 35 herë kampion i Italisë.

Trajneri e di se gjithçka do të jetë ndryshe, që nga marrëdhëniet me yjet si Kristiano Ronaldo, me drejtuesit si Anjeli e Nedved, dhe jo më pak me tifozët. Mauricio Sarri u prit me skepticizëm nga një pjesë e publikut juventin, nga një pjesë e medias, dhe asgjë nuk do të ndryshojë nëse ai nuk do të dijë të fitojë Championsin, diçka që ai thotë se do ta synojë në mënyrë të furishme.

Sfidanti.al