Fernando Alonso, magjia e shkuar kot prej “kokës”

Ai u bë kampioni i botës më i ri në historinë e Formula 1. Fernando Alonso jo vetëm mundi Mikael Shumaherin dhe Ferrarin e tij të pathyeshëm, por edhe theu rekordin e gjermanit të madh me makinën Reno. Kjo ndodhi në 2005, kur Alonso ishte 24 vjeç e 58 ditë dhe ky rekord vazhdon të rezistojë. Në vitin 2006, spanjolli nga Asturiasi theu një tjetër rekord botëror, duke u bërë kampioni i dyfishtë më i ri botëror, aq më shumë radhazi.

Sot, dita është e trishtuar për Formula 1, pasi ky gjigand lajmëroi se do të mbyllë karrierën në fund të sezonit. Në moshën 37-vjeçare, ai është në kohën e duhur, por jo në mënyrën e duhur. Një karrierë e nisur në mënyrë meteorike, yjore, pritej të arrinte rekorde të tjera, por ndoshta natyra e Alonsos e pengoi.

Jo më kot thuhet se ai shkakton konflikte në skuadrat ku shkon, dhe kjo bëri që pas Meklarenit, dhe Ferrarit, asnjë ekip i madh nuk e mori. Në përfundim, ai arriti vetëm 32 fitore (91 Shumaher), 22 pole positione (77 Hamilton) dhe 23 xhiro të shpejta. Shumë pak për një pilot që Flavio Briatore e krahason pa frikë me vetë Shumaherin dhe me Ljuis Hamiltonin.

Sfidanti.al