Sergio Ramos, nuk krahasohesh dot me “Robin Hudin” Klop

Trajneri i Liverpulit nuk e ka kursyer, dhe ai është përpjekur ta kundërsulmojë. Sergio Ramos nuk po i shkëputet dot asaj që ndodhi në finalen e Championsit, kur dëmtoi Mohamed Salahun, veprim për të cilin vazhdon të akuzohet e të “nëmet”. Klopi e quajti “të pamëshirshëm dhe brutal” atë që bëri kapiteni i Realit, ndërsa Ramos padyshim që nuk u ndje mirë.

Argumenti që ai gjeti për t’u mbrojtur e për të sulmuar, ishte karriera e tij e lavdishme në Madrid, në të cilën ai ka fituar shumë dhe gjithçka. “Disa prej nesh, – tha Ramosi, – kanë qenë në nivelin më të lartë prej shumë vitesh, nuk jam i sigurt nëse ai e ka bërë këtë gjë”.

Një argument vërtet adoleshent, nëse krahasohen karrierat. Ramos shkoi tek Reali në moshë fare të re, luajti në klubin më të madh të botës, dhe e pati shumë më të lehtë që të fitonte. Klop, në të kundërt, ngjan me Maradonën apo Totin, duke zgjedhur mënyrën më të vështirë, në stolin e Maincit, Dortmundit e tani Liverpulit, që nuk është si dikur.

Kjo do të thotë se çdo trofe i Klopit mund të vlejë 10 të Ramosit, ashtu si çdo trofe i Maradonës apo Totit. Ej, Sergio Ramos, nuk mund të krahasohesh me njeriun e popullit, “Robin Hudin” Jurgen Klop.

Sfidanti.al