Fernando Alonso dëshiron të shkruajë historinë në Indi

Në provat e fundit jozyrtare, ai mbërriti në vend të katërt. Shpejtësia e Fernando Alonsos ishte 223.687 milje në orë, ose 363 km në orë. Është vërtet “kafshërore” pista në Indianapolis. Piloti spanjoll po provon për herë të parë pistën e famshme, “MotorSpeedëay”, një autostradë e vërtetë, veçse në formë rrethi dhe me vetëm 4 kthesa. Diçka e thjeshtë në dukje, në krahasim me pistat e Formula 1, veçse tepër e ashpër fizikisht dhe mendërisht me shpejtësinë, monotoninë dhe egërsinë e parakalimeve.

Alonso pret të shkëlqejë në “Të premten e shpejtë” dhe pastaj të arrijë rezultat në kualifikimet zyrtare në fundjavë. Piloti i Meklarenit ka braktisur Çmimin e Madh të Montekarlos këtë vit, një sakrificë jo e vogël, pasi dëshiron të hyjë në histori. Alonso dëshiron të fitojë atë që quhet “Kurora e trefishtë e motorsportit”, dhe që përbëhet nga Çmimi i Madh i Montekarlos në Formula 1, Indianapolis 500 dhe 24 orët e La Manshit. Deri tani, spanjolli ka fituar vetëm në Montekarlo, do të provojë Indin dhe pastaj La Manshin. Ndër pilotët ende në aktivitet, vetëm Huan Pablo Montoja ka fituar dy (Indianapolis 500 dhe Montekarlon). i vetmi në histori që ia ka dalë në të treja ka qenë britaniku Graham Hill.

Sfidanti.al