Evazioni prej 150 milionë Euro; Do ngrihen akuza ndaj Cristiano Ronaldos?

Duket se organet tatimore spanjolle kanë vendosur të ngrenë akuza zyrtare ndaj Cristiano Ronaldos për evazion fiskal. Është e përditshmja spanjolle ‘El Confidencial’ ajo që publikon lajmin duke theksuar se këto organe do të dorëzojnë te Prokuroria e Krimit Ekonomik në Madrid dokumentacionin e përpiluar për këtë çështje përpara se ajo të arkivohet në 30 qershor. Skandali për evazionin fiskal të yllit të Realit të Madridit shpërtheu përpara pak javësh kur ‘Football Leaks’ dhe ‘El Mundo’ publikuan lajmin se Cristiano Ronaldo i detyrohet shtetit spanjoll 150 milionë Euro nga e drejta e imazhit të tij, shifër të cilën e kishte transferuar në vendet e konsideruara si parajsa fiskale nëpërmjet kompanive irlandeze. Një zëdhënës i agjencisë që përfaqëson 32 vjecarin ka pranuar për ‘El Confidencial’ se në Spanjë aplikohen kritere të ndryshme përsa i përket të drejtave të imazhit dhe se Ronaldo ka përfituar nga Ligji Beckham duke shtuar se synimi i futbollistit nuk ishte të mashtronte autoritetet shtetërore. Në të njëjtën kohë, ky zëdhënës deklaroi se tashmë Organet Tatimore në Spanjë kërkojnë që Ronaldo të paguajë detyrime për të gjitha të ardhurat që përfiton dhe jo vetëm ato  që i siguron brenda kufijve spanjollë, ndërkohë që ka hedhur edhe propozimin për arritjen e një marrëveshje me qëllim që Ronaldo të evitojë uljen në bankën e të akuzuarve, ashti sic ndodhi me Lionel Messin.

sfidanti.al