Marc Marquez ka shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e MotoGP-së, duke fituar titullin e dhjetë kampion bote në karrierën e tij. Piloti spanjoll i Ducati-t, vetëm pak orë pas triumfit në Portimao, foli në një intervistë për Sportmediaset, ku rrëfeu emocionet e suksesit, vështirësitë e së kaluarës dhe planet për të ardhmen.
Pavarësisht se tashmë ka një titull më shumë se Valentino Rossi, Marquez nuk dëshiron të konsiderohet më i madhi i të gjitha kohërave. Ai vlerësoi Giacomo Agostinin, duke kujtuar se italiani mbetet referenca historike për numrin e titujve.
”Nuk më pëlqen të them se jam më i madhi i të gjitha kohërave, sepse nuk mendoj se është e drejtë. Nëse shohim shifrat, më i madhi është Giacomo Agostini. Ne kemi arritur të barazojmë titujt e tij. Secili ka historinë dhe momentin e vet, ndërsa unë po shijoj timin”, u shpreh spanjolli.
Marquez kujtoi gjithashtu periudhën e vështirë mes viteve 2020 dhe 2024, kur dëmtimet dhe problemet fizike e larguan nga niveli i tij më i mirë. Ai pranoi se triumfi i fundit ishte rezultat i një pune të madhe, pasi iu desh të ndryshonte edhe mënyrën e pilotimit.
“Vitin e kaluar fitorja ishte një shpërthim emocionesh, ndërsa këtë herë ishte një shpërthim adrenaline. Ishte një sezon shumë i vështirë. Ndonjëherë nuk e njihja veten mbi motor. Duhej të punoja më shumë me mendjen për t’u përshtatur me kushtet dhe me gjendjen time fizike”, tha ai.
Spanjolli vlerësoi edhe rivalët e tij, mes tyre Valentino Rossin, Andrea Dovizioson, Jorge Lorenzon dhe Marco Bezzecchin, duke falënderuar skuadrën e Ducati-t për kontributin në sukses. Sa i përket së ardhmes, Marquez la të kuptohet se do të jetë pjesë e sezonit 2027. Ndërsa për dhuratën pas titullit të dhjetë, përgjigjja e tij ishte e thjeshtë: një pushim i merituar si kampion.

