Europian “kripëzmjaltë” për Briken Caljen, edhe bronz edhe dështim!

Realizoi shumë pak prova, por njërin podium e arriti. Briken Calja do ta mbajë mend gjatë këtë kampionat europian të peshëngritjes, ku njëkohësisht edhe shkëlqeu, edhe dështoi. Shtangisti nga Shtërmeni i dha një medalje bronzi Shqipërisë, duke qenë ndër më të mirët në stilin e shtytjes, në peshën deri 69 kg.

Me 175 kg të ngritura në provën e dytë, Calja doli i treti, i lënë pas vetëm nga francezi Matam dhe gjermani Joakim. Nëse do të kishte ngritur 178 kg në të tretën, do të kishte marrë argjendin. Për fat të keq, ishte jashtë gare për medalje të plotë, atë në dygarësh.

Shqiptari e nisi keq në stilin e parë, atë të shkëputjes. Gaboi në tentativën e parë me 145 kg, dhe këtë pengesë nuk e kapërceu as dy herët e tjera. Pavarësisht kësaj, një bronz europian duhet të quhet gjithnjë sukses, pra ishte i tillë edhe për Briken Caljen.

Sfidanti.al