Kryeqyteti italian i ndau në mënyrën më të drejtë “çmimet” e sezonit. Lacio mbrojti të drejtën e saj për të qenë pjesë e elitës duke e eleminuar Romën nga Kupa e Italisë. Bardhekaltërit e trajnerit Inzagi shkuan në finalen e madhe, ku do të ndeshen me Juventusin ose Napolin, edhe pse e humbën përballjen e dytë në katër më të mirat.
Romës nuk i bëri punë fitorja 3-2, ndërsa shpresat për kualifikim ishin fare të zbehta për mënyrën sesi shkoi ndeshja, ndërsa e para kishte përfunduar 2-0 për lacialët. Pikërisht Lacio (sërish në portë Thoma Strakosha) ishte në avantazh, madje dy herë.
Milinkoviç-Saviç dhe Imobile shënuan për 0-1 dhe për 1-2, në një “Olimpiko” ku këtë herë dominonin tifozët romanë. Verdhekuqtë e trajnerit Spaleti shpëtuan nderin, por jo kualifikimin. El Sharaui, Salah dhe sërish Salah ishin autorët e golave, që nuk patën vlerë.
Roma duhet të jetë e kënaqur që sezonin e ardhshëm do të jetë në Ligën e Kampionëve, diçka që Lacio vështirë ta arrijë, ndërsa lacialët ndoshta fitojnë trofe. Strakosha, portieri i kombëtares shqiptare, shpreson të jetë sërish titullar, këtë herë në finalen e madhe.
Sfidanti.al