Në Spanjë e njohin si “zotërinë e hekurt” që nuk ia përton të “fshikullojë” Realin e Barcelonën dhe që shpesh është në krah të klubeve dhe ekipeve më të vegjël, si ndonjë Robin Hud iberik. Po flasim për Havier Tebasin, presidentin e La Ligës, që mban “shpatën e Damokleut” mbi kokën e klubeve që mund të shkelin rregullat financiare. Gjithsesi, edhe “i tmerrshmi” Tebas e ka pikë të dobët magjistarin Lionel Mesi.
Ndërsa ishte pjesë e një takimi sportiv, presidenti i La Ligës tha se Mesi i mungon shumë jo vetëm Barcelonës dhe Spanjës, por gjithë botës. “Në Francë ai nuk duket aq shumë, – tha Tebasi, – në Spanjë ishte ndryshe. Ju e dini diferencën e kampionateve. Mesi dhe Barcelona ishin të prerë për njëri-tjetrin dhe largimi i tij ishte një gabim”. Presidenti nuk e fshehu preferencën kur u pyet për “Pleshtin” dhe për CR7-ën, që të dy të larguar. “Epo Mesi duhet të kthehet par Kristianos, – theksoi ai, – ata u larguan, por La Liga mbetet në nivelin më të lartë”.
Sfidanti.al