Ylber Ramadani, si një “ylber” në Skoci, gol dhe vendi i tretë me Aberdinin!

Mosha po i afrohet asaj të pjekurisë së plotë. Ylber Ramadani mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares shqiptare, për të cilën ka luajtur 22 ndeshje deri tani e ka shënuar një gol, ndërsa me 26 vite mbi supe po fiton qendrueshmëri edhe me ekipet e klubeve. Mesfushori kuqezi realizoi golin e parë personal në Premier Ligën e Skocisë, ku këtë sezon mban veshur fanelën e Aberdinit. Me ekipin e shquar, që në vitet 80-të u drejtua nga Sër Aleks Fergusoni, Ramadani është titullar i padiskutueshëm ndërsa ndihmoi në fitoren 4-1 në shtëpi ndaj Hibernianit.

Futbollisti nga Kosova shënuar golin për rezultatin 3-0 në minutën e 61-të. Këtë edicion, Ramadani ka luajtur 13 ndeshje në Premier Ligën skoceze, duke ndihmuar jo vetëm me lojën e tij, por edhe me një asist në fitoren 2-0 të Aberdinit gjithashtu në shtëpi ndaj Hartsit të Midlotianit. Sezonin e kaluar, futbollisti 26-vjeçar luajti për MTK-në e Budapestit në Superligën e Hungarisë, ku shënoi 2 gola në 30 ndeshje, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit.

Sfidanti.al