Një dramë e vërtetë ishte ajo që kaloi Arsenali në Premier Ligë ditën e sotme. Në stadiumin e tij, “Emirejts”, skuadra londineze provoi avantazhin ndaj Bërnlit, inferioritetin numerik, barazimin në sekondat përmbyllëse, dhe fitoren “në frymën e fundit”. Shqiptarët e Zvicrës ishin protagonistët kryesorë, për mirë e për keq, ndonëse ndeshja u fitua nga penalltia e realizuar nga Aleksis Sançez.
Shkodran Mustafi kaloi “topçinjtë” në epërsi duke prishur shifrat e bardha vetëm në minutën e 59-të. Në të vërtetë, drama sapo kishte filluar. Në të 65-ën, Granit Xhaka ndërhyri me dy këmbë dhe me taka të ngritura ndaj lojtarit të Bërnlit, Stiven Defur, dhe gjyqtari nuk ngurroi duke e përjashtuar me të kuqe. Shqiptarin e Zvicrës e ndoqi nga pas trajneri i tij, Arsen Venger, që u përjashtua për protesta.
Për t’i bërë gjërat edhe më keq erdhi barazimi i Bërnlit në miutat shtesë, pas një penalltie të fituar nga Barns (për këtë protesoi Venger), dhe shënuar nga Grej. Për fat, Lorent Koshielni fitoi 11-metërsh në krahun tjetër në sekondat e fundit, pasi u godit me shkelm në fytyrë (ndonëse u duk në pozicion jashtë loje), dhe Sançez realizoi rrjetën e fitores.
Arsenali ka tani 47 pikë, duke u shkëputur nga Totenhemi e Liverpuli dhe duke qenë më pranë kryesueses Çelsi. Më herët, Sauthemptoni mundi 3-0 kampionen, Leiçester.