Skuadrat e forta duken kur arrijnë të fitojnë edhe në ndeshjet ku nuk luajnë mirë. Interi, në të vërtetë, pati epërsi në Palermo, por sërish përballja në stadiumin “Barbera” ishte nga ato që bëhen papritur të vështira. Zikaltërit humbën raste të shumta me anë të Ikardit, Brozoviçit dhe Kandrevës, ndërsa siçilianët ishin më të rrezikshëm në fillim.
Epërsia e Interit vazhdoi në pjesën e parë me Kandrevën dhe Ikardin, si dhe pas pushimit, veçse ishte ndërhyrja e trajnerit Pioli që solli ndryshimin. Ai largoi Banegën që po mbulohej ashpër nga vendasit, dhe hodhi në fushë Zhoao Marion. Rastet erdhën radhazi me Mirandën dhe Galiardinin, por po ashtu me Ikardin.
Goli mik erdhi në minutën e 65-të pikërisht me autor zëvendësuesin, Zhoao Mario. Veçse, ndeshja u bë e vështirë kur Ansaldi doli me të kuqe për Interin, dhe Palermo e mbylli në sulm. Siçilianët shënuan, nën reshje të forta të shiut, por goli u anulua sepse gjyqtari nuk kishte vërshëllyer për nisjen e aksionit. Gjithçse, vendasit mund të ankohen pasi në pjesën e parë pretenduar një penallti, që nuk iu dha.
Tashmë, Interi kalon Milanin duke pasur 39 pikë, një më pak sesa Lacio e vendit të katërt. Gjithsesi, milanistët kanë një ndeshje për të rikuperuar ndaj Bolonjës.
Në takimet e tjera, Blerim Xhemaili shënoi dy gola për Bolonjën ndaj Torinos, në fitoren 2-0, Empoli mposhti 1-0 Udinezen, Xhenoa barazoi 2-2 në fushën e saj me Krotonen, ndërsa Sasuolo kaloi 3-1 në fushën e Peskarës.
Më herët, në 12:30, Juventusi fitoi 2-0 ndaj Lacios në Torino, me golat e shënuar nga sulmuesit argjentinas, Paulo Dibala e Gonzalo Higuain.
Renditja: Juventus 48 pikë (-1), Roma 44 (-1), Napoli 44, Lacio 40, Inter 39, Milan 37 (-1)