Priten të tjerë, por Barcelona deshi të tregojë se i ka lojtarët edhe kështu siç është. Gerard Deulofeu përfitoi nga largimi i Nejmarit për të qenë titullar në ndeshjen e Trofeut “Gamper” në “Kamp Nou”, në një spektakël dhe homazh emocionues. Përballë katalanasve ishte Çapekoense, skuadra e goditur nga tragjedia e aksidentit ajror vitin e kaluar, dhe brazilianët kishin përfshirë në ekip edhe të mbijetuarin Alan Rushel. Plot 19 lojtarë të Çapes humbën jetën në aksidentin në Kolumbi, ku gjithsej vdiqën 71 persona, dhe Barcelona zgjodhi pikërisht atë për trofeun e presidentit të saj të parë.
Mesi me shokë nuk është se i bënë ndonjë nder kundërshtarit, edhe pse e zgjodhën për të luajtur me të. Deulofeu shkëlqeu duke shënuar një gol, duke dhënë dy asistë, dhe duke luajtur shumë mirë në mbrojtje. Buskets, Mesi, Luis Suarez dhe Denis Suarez ishin autorët e golave të tjerë të Barcelonës së parë pa Nejmarin.