De Brujni është “heroi i heshtur” i Guardiolës dhe i Sitit drejt titullit!

As kur shënon 7, kjo skuadër nuk habit. Pasi i realizoi 5 herë Liverpulit, a mund të quhet gjë e rrallë të bësh 7 ndaj Stouk Sitit? Ky është Mançester Siti, padyshim favoriti për fitoren e titullit në Premier Ligë. Formacioni tepër i kushtueshëm, por gjithsesi tepër i bukur për t’u parë, i Pep Guardiolës dominoi fillimisht, pastaj lëshoi shumë terren, por reagoi sërish për të fituar më shifrat 7-2 ndeshjen e javës së 8-të, duke u shkëputur 2 pikë nga Mançester Junajtid.

Gabriel Zhezus shënoi dy herë, ndërsa Rahim Stërling, David Silva, Fernandinjo, Leroi Sane e Bernardo Silva, nga një, në suksesin e radhës në stadiumin “Etihad”. Mbi 54 000 tifozë, megjithatë, brohoritën më shumë emrin e Kevin De Brujnit. Mesfushori ofensiv belg ishte arkitekti i pesë prej golave, edhe pse nuk shënoi asnjë, dhe nuk pati çudi që u shpall lojtari i ndeshjes. Në takimin e 100-të të tij në Premier, konfirmoi faktin se është asistuesi më i mirë i kampionatit prej 2 vjetësh. Guardiola, i lumtur për atë që pa, e quajti këtë si ndeshjen më të mirë të ekipit të tij që kur ai u bë trajner.

Fitorja e Sitit merr edhe më shumë vlerë, me humbjen e Çelsit. Kampionët në fuqi duket se nuk janë ata të sezonit të kaluar, dhe kjo u pa me humbjen 1-2 në fushën e Kristal Palasit. Johan Kabaj e Vilfred Zaha shënuan për vendasit, ndërsa Bakajoko realizoi golin e vetëm të miqve në këtë derbi të Londrës, që e la skuadrën e Antonio Kontes në vendin e pestë, plot 9 pikë pas Sitit. Kriza gjatë verës, dëmtimet, dhe mungesa e përforcimeve, duket se po e nxjerrin Çelsin jashtë loje, për t’ia lënë rrugën të hapur Pep Guardiolës.

Sfidanti.al