Mbajeni mend këtë emër, STRAKOSHA u shkruajt në stadiumin e Juventusit!

Ishte ky momenti. Në stadiumin më të frikshëm të Italisë, u desh një shqiptar që Juventusi të mundej pas dy vjetësh. Tomas Strakosha, një portier aq i ri sa nuk mund të besohet, ndaloi yllin më të madh juventin dhe më të mirin e Serisë A, madje në gjuajtjen e një penalltie. Ishte minuta e 6-të dhe e fundit shtesë, aksioni i fundit i një ndeshjeje të madhe, që u vendos pikërisht nga numri 2 i kombëtares së Shqipërisë. Grushtimi i Strakoshës la Dibalën të shtrirë përtokë dhe Lacion fituese 2-1, dhe tani baraz me pikë me kampionët.

Fitorja e dytë e skuadrës së Inzagit pas asaj të Superkupës në gusht, nuk ishte gjithsesi e paracaktuar. Përkundrazi. Juventusi kaloi në epërsi shpejt me anë të Dagllas Kostës, me një aksion ku portieri shqiptar mund të kishte grushtuar më mirë, por ku braziliani ishte në pozicion të dyshimtë.

Si mundi Lacio ta përballonte këtë fillim? Padyshim me ndihmën e Strakoshës që realizoi pritje të rëndësishme, por gjithashtu skuadra kryeqytetase tregoi edhe karakter. Meritë e Çiro Imobiles, apo “Çiros së Madh” siç njihet nga tifozët lacialë duke e krahasuar me mbretin e famshëm të Persisë së Lashtë. Sulmuesi i kombëtares së Italisë shënoi të dy golat e përmbysjes, pa kaluar shumë minuta nga nisja e pjesës së dytë.

Papritur, Juventusi i Alegrit u duk se humbi edhe sigurinë e tij më të madhe, atë në mbrojtje. Gjithsesi, Strakoshës dhe shokëve të tij iu desh të përballonin një ofensivë të vërtetë të kampionëve në fuqi të Italisë, të yjeve si Dibala, Higuain, Kedira, Manxhukiç, Bernardeski apo Kielini. Diku me zotësi, e diku me fat, rezultati u ruajt deri në fund, aty ku teknologjia i dha vendasve një penallti të merituar. Gjithsesi, as kjo nuk ndihmoi, pasi në portë ishte 22-vjeçari shqiptar.

Sfidanti.al