Tifozët e Mançester Sitit me siguri janë shprehur kështu, me shaka, pas suksesit 6-1 ndaj Hadërsfildit, ndeshje e Premier Ligës ku mungoi Kevin De Brujni. Mesfushori më i mirë i kampionatit sezonin e kaluar do të jetë jashtë fushave 3 muaj për shkak dëmtimi, por skuadra e Pep Guardiolës nuk e ndjeu aspak, këtë herë, mospraninë e tij.
Mund të thuhet, gjithnjë me shaka, se asistet për sulmuesin kryesor, Kun Aguero, mund t’i japë … portieri Ederson. Ishte pikërisht ai që dha një pasim prej gati 70 metrash për argjentinasin që shënoi golin e parë. Më pas, Gabriel Zhezus e sërish Aguero rritën epërsinë e vendasve në 3-0, përpara sesa Stankoviç ta shkurtonte me një gol.
Pas pushimit, David Silva bëri një nga realizimet më të bukura të javës, direkt nga goditja e dënimit, duke gëzuar edhe djalin e tij foshnjë, përveç 50 mijë tifozëve. Golat e fundit i shënuan Aguero dhe Terrens Kongolo (në portën e vet). Me këtë treshe, Kun arriti në 146 gola për Sitin në Premier Ligë (në 208 ndeshje), dhe në 204 gjithsej për “Qytetarët” në 295 takime.
Sfidanti.al