Duket se në “Old Traford” askush nuk është me të. As drejtuesit e klubit, as ylli kryesor Pol Pogba, dhe ndoshta as edhe disa lojtarë të tjerë. Një klub dhe një ekip i përçarë është e vështirë t’i çosh tek suksesi, dhe Zhoze Murinjo e di se i pari që paguan mungesën e rezultateve është trajneri.
E provoi tek Çelsi në 2007, por deri diku edhe tek Reali në 2013 kur mbeti duarbosh, ndërsa edhe kjo epokë në Mançester Junajtidin e lavdishëm duket se do të përfundojë keq. “Djajtë e kuq” u mposhtën nga një ekip të cilin duhej ta kishin mundur, nga Brajtoni, edhe pse luajtën jashtë fushe.
Pësuan 3 gola në pjesën e parë, ndërsa rezultati përfundimtar ishte 2-3, me një mbrojtje të çoroditur dhe një mesfushë që “lëshonte ujë” nga të gjitha anët. Nuk mund të thuhet se Junajtid nuk ka lojtarë, edhe pse klubi nuk e kënaqi trajnerin. Kjo ndikon ndaj Sitit, Liverpulit apo Çelsit, ndërsa ndaj Brajtonit është luks të kesh në fushë De Gean, Fredin, Pereirën, Pogbanë, Matën apo Lukakun. Gjithsesi, në Angli kanë durim me trajnerët dhe Murinjo mund të marrë rezultate kur lojtarët të jenë më shumë në formë. Problemi është se Siti mund të nisë të shkëputet, ashtu si edhe Liverpuli.
Sfidanti.al