Çelsi refuzon Barçën e Bajernin, “troket” që të dëgjojë Hazari!

Oferta nga Spanja ishte 55 milionë euro. Barcelona kërkon nga Çelsi brazilianin Uillian, duke dhënë lojtarin e vet, Malkom, si dhe një sasi shtesë parash, por nga londinezët vjen një refuzim i prerë. Malkom, sipas Barcelonës vlen 42 milionë euro, ndërsa 13-14 milionë euro të tjera janë paratë “kesh” (cash), por trajneri Mauricio Sarri nuk është aspak i impresionuar nga oferta.

Italiani, po ashtu, nuk u “hipnotizua” kur Bajerni ofroi afërsisht 40 milionë euro për talentin e ri, Kallëm Hadson-Odoi, edhe pse kjo shifër është ajo që Çelsi kishte vendosur fillimisht për futbollistin. Në rastin e Uilliamit, klubi anglez do të pranonte vetëm nëse do t’i jepeshin 55 milionë euro “në dorë”.

Gjithsesi, duket se Sarri po përpiqet të mos lejojë që skuadra e tij të kthehet në një “Arsenal të dytë”, pra që të largojë lojtarë dhe të mbetet gjatë pa fituar trofe. Ai dëshiron të kapë zonën Champions sezonin e ardhshëm, dhe të bindë Eden Hazarin dhe yjet e tjerë, se Çelsi nuk është një “trampolinë”, por një histori suksesi.

Sfidanti.al