Jokiç është mbreti i “tripëll dabëllit”, një gjeni në NBA

Fitorja ndaj Los Anxhelos Klipersit nuk ishte edhe aq e vështirë, dhe kjo për meritë të tij. Nikola Jokiç realizoi një tjetër tripëll dabëll, në suksesin 121-100, që e zgjati në 11 fitore radhazi, serinë e suksesshme të Denverit në shtëpi. Basketbollisti qendër nga Serbia pati 18 pikë, 14 topa në tabela dhe 10 asistë, dhe ky ishte tripëll dabëlli numër 21 në karrierën e tij në NBA.

Vetëm dy ditë më parë, gjigandi 2.13 metra shtatlartë, u bë i treti lojtari me moshën më të re që arriti 20 tripëll dabëllat në karrierë. Ai është 23 vjeç. Dy të parët janë, jo rastësisht, ata që dominojnë këtë renditje historike, Oskar Robertson që pati 181 tripëll dabëlla në karrierë (numri 1), dhe Mexhik Xhonson që arriti në 138 (numri 2), në moshën 22-vjeçare. As edhe superylli i sotëm, Rasëll Uestbruk, nuk ia kishte dalë kur ishte 23 vjeç.

Falë Jokiçit, por edhe lojtarëve të tjerë, Denveri mbetet një nga skuadrat më të mira në NBA, në vend të parë në Konferencën shumë të vështirë Perëndimore, me 28 fitore e 12 humbje. Qendra serbe është në vend të 7-të në Perëndim, në votimin e tifozëve për Ndeshjen e Yjeve, ndërsa është numëruar 50 për qind e votave.

Sfidanti.al