Çudi dhe pabesi në Paris: PSZH-ja eliminohet nga Guingampi!

Në Kupën e Francës ndodhi një çudi e madhe, kur ekipi modest Guingamp arriti të eliminonte PSZH-në e fuqishme, duke e mundur këtë të fundit me rezultatin 2-1. Në fakt, Guingampit gjatë kësaj ndeshjeje iu dhanë tri penallti. Pjesa e parë e saj nuk solli ndonjë eksitim të madh, megjithëse PSZH-ja sulmoi gjatë të gjithë kohës, por pa krijuar ndonjë rast tamam për gol, kështu që gjysma e parë e ndeshjes përfundoi pa gola.
Por, pjesa e dyta ishte krejt ndryshe, duke u bërë mjaft eksituese. Gjithçka nisi në min. e 61-të, ku ekipit vizitor iu dha penalltia e parë, por Turami i ri, i biri i futbollistit të njohur francez, Lilian Turam, e shpërdoroi atë dhe vetëm dy minuta më vonë erdhi ndëshkimi nga Nejmari që shënoi një gol mjaft të bukur me kokë. Por, kur u duk se PSZH-ja, më në fund, e theu rezistencën e Guingampit, miqve iu dha penalltia e dytë që u realizua me siguri nga N’Gbakoto dhe rezultati u bë 1-1. Kur u duk se ndeshja do të përfundonte në barazim dhe tifozët po bëheshin gati të shihnin gjuajtjet e penalltive, në shtesën e lojës gjyqtari Bastien dha edhe një penallti tjetër në favor të Guingampit. Përgjegjësinë që ta gjuajë topin nga “pika e bardhë” e mori përsëri Turami i ri që kësaj here nuk gaboi, duke u shëndërruar në heroin kësaj ndeshjeje.
Me humbjen që pësoi, PSZH-ja ndërpreu serinë e saj prej plot 49 fitoresh në ndeshjet e Kupës në stadiumin e vet.
Sfidanti.al