Pak javë më parë, dhimbjen e kokës e shkaktonte Usman Dembele, blerja e dytë më e shtrenjtë e klubut. Jo edhe aq për problemet në fushëm sesa për ato jashtë saj, sulmuesi francez sikur është “zbutur”, por për dreq, trajneri Valverde ka një shqetësim të ri. Në mënyrë të pabesueshme, ky e ka emrin Filip Kutinjo, ish-lojtari i jashtëzakonshëm i Liverpulit, dhe blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit “blaugrana”.
Braziliani vërtet shënoi gol, në ndeshjen e Kupës së Mbretit humbur 1-2 në fushën e Levantes, por paraqitja e tij në qytetin e Valencias ishte për të vënë duart në kokë. Aq e dobët saqë gazeta “Marka” titulloi shkrimin e saj se “Kutinjo prek fundin tek Barcelona”, dhe sqaron se niveli i lojës së tij ishte aq i ulët saqë nuk i garanton kthimin në formacionin bazë.
Çfarë po ndodh me Kutinjon, të marrë për 160 milionë euro? Valverde e zhvendosi në krah, në një pozicion ku luan edhe Dembele, ndërsa në qendër të mesfushës, ai beson më tepër tek Artur Melo dhe Arturo Vidal, duke plotësuar boshësinë e lënë nga Iniesta. Kutinjo u dëmtua dhe vendin e tij e zuri Dembele, që tani po luan shumë mirë, dhe po kuptohet me Mesin “me sy mbyllur”. Kriza e brazilianit do të vazhdojë derisa ai të fitojë besimin e trajnerit, dhe të sigurojë pozicionin ose të Artur Melos, ose të Dembelesë. Kështu është kur ke shumë “gjela në një kafaz”.
Sfidanti.al