Ikardi mbron Uandën, sulmon Interin; a mund të quhet kapiten?!

“Jam shumë i kënaqur me punën e bërë së bashku deri tani”. Këto fjalë të Mauro Ikardit nuk janë për drejtuesit e Interit apo trajnerin Luçiano Spaleti. Për fatin e keq të tifozëve zikaltër, kapiteni i tyre ia dedikon këtë kompliment gruas së tij, Uanda Narës, që është edhe agjentja e tij. Së fundi, Uanda deklaroi se rinovimi i Ikardit me Interin është tepër larg, një “dush i ftohtë” për shpresat e tifozëve dhe të klubit.

Përgjigja e kapitenit (e pritshme) ishte edhe më zhgënjyese. “Rinovimi do të vijë kur të më bëjnë një ofertë konkrete dhe të përshtatshme”. Një lojë me dy apo më shumë porta, për përfitim maksimal financiar dhe për ta detyruar klubin të bëjë sakrifica të tjera, një stil i njohur i shumicës së lojtarëve, por jo i kapitenëve. Havier Zaneti tek Interi, apo Paolo Maldini tek Milani, sa për të marrë dy shembuj, nuk janë njohur për taktika të tilla, as Françesko Toti tek Roma apo Stiven Xherrard tek Liverpuli.

E bëri paksa Mesi tek Barcelona, por gjithnjë duke mbajtur gojën mbyllur për respekt të klubit, e duke mos ushtruar presion të hapur. Telashi i madh i Interit është se nuk mund të përplaset hapur me Ikardin, gjë që lojtari e meriton për sjelljen e tij, por do të duhet të punojë “pas kuintave” për ta bindur që të rinovojë.

Sfidanti.al