Anglia ëndërron triumfin europian bashkë me kombëtaren e “3 luanëve”!

Duhet të hedhin edhe një hap. Futbollistët e Anglisë kanë edhe finalen ndaj Italisë sonte në orën 21:00 në “Uembli” të Londrës, përpara sesa të munden të shpallen kampionë të Europës. Pas kualifikimit ndoshta jo bindës në grup ndaj Kroacisë, Skocisë e Çekisë, “tre luanët” arritën suksesin e madh 2-0 ndaj Gjermanisë, pastaj 4-0 me Ukrainën dhe 2-1 me polemika kundër Danimarkës.

“Ky është momenti ynë, – thotë trajneri Garet Sauthgejt, – përfaqëson epokën tonë. Ky kampionat ka qenë me të vërtetë shumë i rëndësishëm për këtë ekip. Në 4 vitet e fundit kanë pasur kaq shumë sfida, barriera, kaq shumë mënyrë për të fituar apo humbur një ndeshje. Përvoja dhe forca e tyre e karakterit i ka përgatitur për këtë moment”.

Sauthgejt ka ende disa dyshime taktike, e mund të kthehet në mbrojtje me 5 lojtarë, ndërsa Fil Foden nuk u stërvit në seancën e fundit. Nëse rast fitoreje, këtë herë trofeu do të jepet në fushë, ndërsa 55 vjet më parë, Mbretëresha Elizabeta II ia dha trofeun e Kupës së Botës kapitenit Bobi Mur në tribunën kryesore të “Uemblit”. Monarkja 95-vjeçare i dërgoi një mesazh mbështetjeje trajnerit Sauthgejt duke i uruar sukses. Një mesazh edhe nga kryeministri Boris Xhonson, i cili shpalosi një flamur anglez përpara selisë së kryeministrisë në “Dauning Strit”.

Futbollistët e ndjenë thellësisht se çdo të thotë ky moment për vendin, kur u përcollën drejt Londrës nga mijëra qytetarë që kishin mbushur dy anët e rrugës, që nga fshatrat e vegjël deri në hotelin e kryeqytetit. Kapiteni Harri Kejn e di se misioni mund të realizohet më lehtë me tifozët në krah. “Ne i kemi parë tifozët nëpër rrugë, – tha ai, – e kemi ndjerë mbështetjen e tyre. Kjo tregon se çfarë rasti i madh është ky që kemi tani. Ne duhet të bëjmë të lumtur tifozët në të gjithë vendin”.

Kejn ka qenë përcaktuese në ndeshjet me eleminim, duke shënuar ndaj Gjermanisë, e duke siguruar finalen me ekzekutimin e penalltisë së dyshimtë ndaj Danimarkës. Anglia ndoshta ka një epërsi të madhe pasi luan në “Uembli” dhe duket sikur tifozët po e bëjnë të kryer që futbollipo kthehet në shtëpi. Një gazetar italian e pyeti trajnerin Sauthgejt për këtë.

“Ju duhet të njihni anglezët, për të kuptuar humorin e tyre, – tha ai duke qeshur, – humori ynë ndoshta është unik, por padyshim nuk është arrogancë. Këngët e tifozëve janë thjesht për t’u kënaqur. Këngët ndihmojnë për të krijuar atmosferën”. Siç këndojnë tifozët anglezë, mdoshta futbolli po kthehet me të vërtetë në shtëpi.

Sfidanti.al