Mesi e fiton më në fund trofeun me Argjentinën, tani synon Kupën e Botës!

Këtë moment e kishte pritur pafundësisht gjatë. Lionel Mesi ndoshta ka menduar se po jetonte një ëndërr kur mori në duar trofeun e Kupës së Amerikës. Nuk ishte ashtu, ëndrra më në fund u sendërtua dhe kapiteni i Argjentinës u shpall më në fund kampion i Amerikës së Jugut, pasi ekipi i tij kombëtar fitoi 1-0 finalen ndaj Brazilit në stadiumin “Marakana” në Rio de Zhaneiro. Mëkat që ishin vetëm 10 për qind e tifozëve në këtë finale, rreth 8 000, ndërsa argjentinasit përmbysën parashikimet duke mundur vendasit.

Nuk besohet se ka pasur ndonjë yll të futbollit botëror më pa fat sesa Mesi. Lojtari më i mirë i kësaj epoke, dhe që mund të jetë më i miri i të gjitha kohëve, ka humbur 3 finale të Kupës së Amerikës, duke nisur nga 0-3 me Brazilin në vitin 2007, për të vazhduar me dy dramat me 11-metërsha ndaj Kilit në 2017 e 2019, që përfunduan pa gola. Trofeu ishte i mallkuar për plot 16 vjet, që nga gushti i vitit 2005 deri mbrëmjen e fundit. Mbrapështia nuk iu nda as në Kupën e Botës, kur humbi 0-1 finalen ndaj Gjermanisë në Brazil në 2014.

Gjithsesi, “i duruari, i fituari”, thotë populli dhe Mesi më në fund e pati fatin e tij. Gjithsesi, duhet të falenderojë shokët për finalen ndaj Brazilit, e cila u fituar falë golit të Angel Di Marisë pas asistit të marrë nga Rodrigo De Paul, me gjasë lojtarit më të mirë në fushë. Argjentina gjithashtu i dha fund një pritjeje 28-vjeçare për titullin në Kupën e Amerikës, të fituar për herë të fundit në 1993 në kohën e Gabriel Batistutës e Diego Pablo Simeones.

Vetë Mesi nuk shkëlqeu në finale, madje humbi edhe një rast të artë goli, ndërsa kupa u sigurua falë mbrojtjes së fortë në pjesën e dytë, përballë një Brazili që hodhi në fushë 5 sulmues. Kapiteni argjentinas u shpall Lojtari më i mirë i Kupës së Amerikës, dhe ishte shënuesi më i mirë me 4 gola, po aq sa kolumbiani Luis Diaz. Ky ishte titulli i 15-të i Argjentinës në kampionatin latinoamerikan, që barazon rekordin e Uruguajit, ndërsa Mesi shpreson që tashmë të fitojë Kupën e Botës, për t’u barazuar me Maradonën.

Sfidanti.al