Italia nuk mban mend Kupat e Botës, do me ç’do kusht Europianin!

Kupa të Botës kanë plot. Katër të tilla janë vendosur në kabinetin e trofeve në Romë, e fundit në 2006-ën në Gjermani, por Europiani është kthyer në një makth. Një finale e fituar deri në sekondat e fundit u humb përballë Francës në vitin 2000 në Amsterdam, dhe një tjetër nuk pati histori në një dorëzim pa kushte, 0-4 ndaj një Spanje legjendare në stadiumin “Olimpik” të Kievit në 2012. Për të gjetur titullin e vetëm kontinental duhet të kthehesh në epokën e televizionit bardhezi, në 1968, kur në “Olimpiko” të Romës do të duheshin dy finale për të kaluar Jugosllavinë, 1-1 e 2-0.

Le të mos harrojmë se triumfi i fundit i Anglisë, madje i vetmi, u arrit dy vjet më herët, në 1966 në Kupën e Botës. Këtë e kanë mirë parasysh lojtarët e sotëm të Italisë, që udhëtuan me besim drejt Londrën për finalen e sotme të Europianit. Ky ekip është i bashkuar, i frymëzuar dhe i talentuar, i bindur se mund t’ia dalë në “Uembli” ndaj Anglisë

“Ne duhet të jemi të qetë duke e ditur se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për shumë shkaqe, – thotë trajneri Roberto Mançini, – duhet të jemi të përqëndruar tek loja jonë. Le të japim maksimumin. Ne e dimë se mund të luajmë mirë dhe ky duhet të jetë mendimi ynë, pa u shpërqëndruar. Është ndeshja jonë e fundit”.

Italia ka 5 fitore e një barazim në këtë Europian, me golaverazhin 12-3, ndërsa ka eleminuar rivalë të fortë si Belgjikën e Spanjën. Gjithsesi, në gjysmëfinalen ndaj spanjollëve u pa një ekip i ndryshëm, jo ai sulmues i Mançinit, por në stilin tradicional të katenaços. Ndoshta ndeshjet fitohen edhe kështu. “Besoj se në finale kanë arritur ato skuadra që kanë dhënë më shumë dhe e kanë merituar më shumë, – thotë kapiteni Kielini, – mjafton të shikosh rezultatet për të kuptuar se Anglia është skuadër shumë e fortë. Duhet të kemi një zemër të zjarrtë, ndryshe nuk mund të mbijetosh në një finale në “Uembli” kundër Anglisë”.

Mediat italiane e përcollën skuadrën me brohoritje të mëdha. “La Gazeta delo Sport”, “Il Korriere delo Sport” apo “Tutosport”, që të gjitha, kishin urimin për fitoren e madhe të të kaltërve ndaj Anglisë, por po ashtu nuk harruan mbështetjen për Mateo Berretinin në finalen e Uimbëlldonit ndaj Novak Gjokoviçit. Mançini ka mungesë vetëm mbrojtësin e dëmtuar Spinacola, ndërsa formacioni nuk pritet të ndryshojë në krahasim me Spanjën. Besimi është i madh, ky ekip ka 3 vjet që nuk humbet, plot 33 ndeshje.

Sfidanti.al