A ka të drejtë Sauthgejt që Anglia ndaj Gjermanisë u frymëzua nga Lufta e Dytë Botërore?!

Trajneri i “tre luanëve” krijoi një furtunë të vërtetë në konferencën e fundit për shtyp përpara finales ndaj Italisë në Euro 2020. Garet Sauthgejt ndoshta i shkaktoi vetes “autogolin” e vetëm në këtë turne, kur theksoi ndikimin e Luftës së Dytë Botërore në shkallën e motivimit të kombëtares angleze përpara ndeshjes me Gjermaninë. “Mendoj se ka momente në histori për të cilat ne duhet të jemi krenarë, – ishin fjalët e tij, – me zemër unë kthehem te vlerat që më kanë mësuar prindërit. Ka pasur kohë kur njerëzit kanë dashur të na pushtojnë, dhe ne kemi pasur guximin t’i zbrapsim. Nuk mund ta fshihni që një pjesë e energjisë në stadium ndaj Gjermanisë ishte për këtë. Unë kurrë nuk ua kam thënë lojtarëve, por unë e di se historia ishte e tillë”.

Kjo nuk u prit mirë në Gjermani dhe tabloidi “Bild” doli me një titull të madh: “Zoti Sauthgejt, ju jeni i çmendur”! “Ju kaloni shumë kohë duke parë filma me Çërçillin, dhe duke ëndërruar të jeni britaniku i dytë më i madh në histori”, – vazhdonte komenti. Me të vërtetë, zoti Sauthgejt ndoshta nuk e ka kuptuar sesa delikate është e kaluara historike dhe sesi mund të përjetohet nga të tjerët kur kjo gjë thuhet nga një anglez, pasardhës i brezave të një vendi që nuk e pati problem të kolonizonte një të katërtën e botës!

Sfidanti.al