Kthehet legjenda e San Antonios; Tim Dankan do jetë asistenti i Popovic

San Antonio Spërs bën ndryshime në pankinë teksa konfirmojnë ardhjen e 2 emrave të rinj; njëri prej të cilëve entuziazmon në mënyrë të jashtëzakonshme tifozët e skuadrës teksane. Bëhet fjalë për Tim Dankan, liderin e padiskutueshëm dhe lojtarin më të mirë në historinë e kësaj skuadre dhe një ndër më të mirët në NBA, i cili do të kthehet te skuadra e zemrës për të qenë në rolin e asistentit të Greg Popovic

Ky i fundit përdori një shprehje gjeniale për të shpjeguar rikthimin e kësaj figure kaq të dashur të skuadrës teksane.

‘Është mëse e drejtë që Tim Dankan të më kthejë favorin pasi i shërbeva për 19 vjet si ndihmës-tha Popovic që së bashku me ish basketbollistin me nr.21 në fanelë kanë bërë historinë në sportin e basketbollit pasi janë trajneri dhe lojtari me më shumë ndeshje në NBA, 1392 të tilla

Tim Dankan ishte zgjedhja e parë në Draftin e NBA në 1997 dhe që nga ai vit deri në 2016 kur u tërhoq ai ka luajtur nën urdhrat e Popovic duke qenë i pranishëm në 19 sezone e duke fituar 5 tituj kampionë të NBA. por jo vetëm kaq, Dankan ka qenë i pranishëm në 15 ndeshje All Stars, ka fituar 3 herë MVP i finaleve dhe 2 herë MVP i sezonit të rregullt.

Ndërsa emri tjetër që i shtohet pankinës së San Antonio Spërs është Uill Hardi që u bashkua me Spërsat në vitin 2010 ku nisi të punojë në sallën e videove.

sfidanti.al