Superliga vazhdon vaksinimin: Ilaçi i bekuar quhet..Vllaznia

Edhe në ëndërr nuk do të ishte realizuar kjo që po ndodh! 2 vite më parë, kur Vllaznia nuk ishte e bukur në lojë, madje të bënte me zemër, edhe pse e mbështetën deri nw fund tifozët e saj, prapëseprapë, nuk i shpëtuan  dot aksidentit  më historik.. rënies një kategori më poshtë. Në ditët e sotme, ditët që mbajnë vulën e futbollit pa gojë (për shkak të Pandemisë), kur në stadiume nuk lejohet fryma e shenjtë e tifozëve, Vllaznia është bërë kaq e bukur në lojë,  sa ka prishur modën klasike të Superligës.Shfaqet  aq e hijshme  para pasqyrës së këtyre javëve,  sa në Shkodër kanë frikë se mos i “mallkon” syri i keq..

Vllaznia është e bukur për t’u parë në lojë dhe këtë e vërtetoi edhe njëherë në ndeshjen e fundit me Teutën, pikërisht në këtë përballje  për të cilën  thuhej se kishte një bosht ndryshe nga ndeshjet e tjera, do të  fitonte më i forti dhe jo ai që bën poza më të bukura gjatë 90 minutave! Ajo që ndodhi ishte mrekulluese: shkodranët zaptuan topin dhe  frerët e lojës,  i treguan Teutës me fakte se të gjithë kundërshtarët që janë mundur nga Vllaznia s’mund të qajnë për  asnjë  padrejtësi, siç ka ndodhur rëndom në rivalizimet  tona.

Madje , mund të thuhet pa t’u dridhur buza, se në një kampionat aventures   në kurriz të  shëndetit,  për shkak të mungesës së tamponëve, humbja ndaj Vllaznisë mund te vlejë si një lloj vaksinimi ! Janë kaq bindës në lojën që krijojnë dhe dominojnë  për 90 minuta, sa  kur mbaron “terapia” , humbësit mund të pranojnë se kur ndijuan  “shiringën”, shkodranët  e kishin dorën mjaft të lehtë, pupël si thuhet për kësi rastesh…

Sfidanti.al