Shaqiri feston kthimin me asist, në fitoren e Liverpulit në Kupë!

U desh të kalonin tri ndeshje radhazi pa sukses, u desh edhe kthimi i Xherdan Shaqirit nga dëmtimi, që të kuqtë e Jurgen Klopit të arrinin një triumf. Nuk ishte ndonjë gjë për “të mbetur merak” pasi fitorja 4-1 në fushën e Aston Vilës në Kupën e Anglisë u arrit përballë një ekipi që luajti me lojtarë të ekipeve U23 e U18 (shkak, koronavirusi), por gjithsesi ishte një rezultat për të cilin Liverpuli kishte nevojë. Xherdan Shaqiri hyri në lojë si zëvendësues në “Vila Park” dhe shërbeu pasimin për golin e dytë të Sadio Manesë. Ishte pikërisht Mane që kaloi Liverpulin në epërsi në 4’, pastaj 17-vjeçari Lui Berri barazoi në 41’. Pas pushimit, Vajnaldum shënoi të dytin në 60’, Mane realizoi për 3-1 (asisti i Shaqirit) dhe Mohamed Salah fiksoi shifrat në 4-1.

Kjo ishte një ndeshje e turit të tretë, dhe në turin e katërt do të jenë 32 skuadra. U kualifikua edhe Uolvesi që fitoi 1-0 në shtëpi ndaj Kristël Palasit. “Ishte një ndeshje pak e ngathët nga ana jonë, – tha Klopi, – ishim si të ndryshkur, por pjesa e dytë ishte më e mirë. Tani kemi 9 ditë kohë për të përgatitur duelin me Mançester Junajtidin. Shumë lojtarë tanët nuk kanë ritëm dhe ne do të bëjmë shumë ndeshje 11 kundër 11 brenda ekipit”.

Sfidanti.al