Skëndërbeu jo! Vetëm titulli kampion do ta zhvirgjërojë Kukësin..  

Në një futboll që të fyen  nga motra për arsyen më idiote,  një parrullë e hidhur, si ajo në ndeshjen Skënderbeu-Kukësi,  ku thuhej “ Faleminderit që pritët t’iu zhvirgjërojmë ne”,  më shumë sesa për etikën e munguar, u mallkua për tersin që solli. Dhe çfarë tersi.. pikërisht në fundin e shfaqjes. Nuk kishte ndodhur më parë, jo vetëm në stadiumin e kampionëve, por edhe në të tjerët, kur një parrullë e shkruar  me aq helm për të shkaktuar dhimbje tek kundërshtari, të sillte tersin më të pakëndshëm të sezonit.  Të gjithë u gënjyem bukur këtë herë,  duke besuar se parrullën e kishte shkruar dora e orakullit,  kur ende pa rënë bilbili, besuam se Kukësi kishte gjetur qytetin dhe skuadrën  ku humbja e virgjërisë.  nuk mund të shmangej. Prandaj,  goli, në frymën e fundit të shpirtit  për ekipin e trajnerit Gjoka, ka patur  interpretime të ndryshme. Për korçarët, ata të fushës, bile edhe ata që populluan stadiumin, pati ndjesinë e një vjedhjeje mu në mes të ditës.Një gol që s’paska ardhur nga logjika e ndeshjes, por më shumë nga trillet dhe pabesitë e lojës. Vetëm kështu shpjegohet sjellja e Skënderbeut, kur edhe pse ndeshja ka mbaruar,akoma  shikon me dyshim  nga ora, madje edhe nga arbitri Meta,  pa pranuar publikisht se vetëm   45 minuta, sado të bukura dhe me  intrigë, nuk mjaftojnë për të hequr qafe një rival që çohet edhe nga “vdekja”.

Kundërshtarët e Kukësit, për të zbehur forcën e vërtetë të grupit, ndofta edhe kontributin e trajnerit Gjoka,  thonin se dy janë pikat kyçe që duhen bllokuar : sulmuesi Pejiç dhe presidenti Gjici. Kroati që shënon me aq lehtësi, sa portat e kampionatit tonë na  duken më të mëdha se 7 metra, dhe Safeti , njeriu që s’ mund të markohet as me dy mbrojtës.  Ajo që ndodhi në Korçë,  ka qënë përgënjeshtrimi më i bukur dhe më i nevojshëm për moralin e garës.  Një ndeshje që  zbuloi se ata kanë forcë morale të  ngrihen në këmbë edhe pse në pjesën e parë panë “vdekjen” me sy hapur, ku një futbollist me emrin Latifi, kishte marrë përsipër  t’i ndëshkonte më shumë me lodrime, sesa me gola të tjerë në portë. E thonë të gjithë se korçarëve u mungoi goli i dytë, sepse kanë ikur kohët kur një gol konvertohej detyrimisht me  fitore, veç ajo që nuk gjejmë dot është sekreti i Kukësit, i cili del i fituar edhe kur na duket si humbës. Edhe trajneri Gjoka e ngatërron më shumë ekuacionin kur pohon pas ndeshjes se “  kundërshtarët sikur nuk na marrin me  shumë seriozitet”.  Duket sikur po flet dikush tjetër, dhe jo njeriu që është në stolin e ekipit që ruan me fanatizëm një “virgjëri 26 javëshe”.

 

Gëzim Sinemati

(Botuar në gazetën Panorama Sport)