Ekziston një “mit” që kur ndeshjet nuk t’i kuotojnë në Europë, atëherë mund të tentosh fatin në Azi. Shqiptarët e kanë zbuluar këtë kontinënt jo si ekploratorë të shtyrë drejt kureshtjes për të zbuluar toka të reja por për një arsye më banale, për kuotat e basteve që në raste ndeshjesh të dyshuara për trukim i gjen vetëm në disa vende të largëta të Azisë Juglindore.
Tani rruga është e hapur dhe askush nuk e ka për turp ta shkelë e rishkelë edhe kur kjo rrugë bëhet baltë. Pak orë përpara ndeshjeve të fundjavës në Kategorinë Superiore, kompani prestigjoze të basteve të cilat funksionojnë me logjikën e bursave, dolën në përfundimin që shumë më të lehtë e kishte Flamurtari në Tiranë me Partizanin, Elbasani në Vorë apo Bylisi në Shkodër me Vllazninë.
Koeficentë që reflektojnë thyerjen e ligjeve bazike të sportit sepse futbolli vërtet është i paparashikueshëm por në çdo rast luhet me rregulla të qarta loje si në ligjet e fizikës. Në këtë rast, europianët seriozë e kuptuan që në Shqipëri do të luhej një teatër i pistë dhe rruga e vetme mbeti Azia që në të tilla raste bën edhe “tolerime” dhe me siguri, ajo që u reflektua në bursën e basteve, u respektua me rigorozitet edhe në fushën e lojës.
8 vite pas skandalit “Skënderbeu”, Shqipëria u bë sërish protagoniste në tavolinën e pazareve por këtë herë me një rekord të ri, pjesëmarrjen masive të pjesës dërrmuese të aktorëve. Krismat e një sezoni të shoqëruar me dyshime për tolerime apo trukime, sot dëgjohen më të forta se kurrë por në “Kullën e fildishtë” nuk i dëgjojnë sepse izolimi që i kanë bërë ndërtesës është “Made in Albania”.
Sfidanti.al

