Muçi dhe Manaj gjunjëzojnë Finlandën

Kombëtarja shqiptare ka regjistruar një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Finlandës, në stadiumin “Air Albania”, duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve dhe duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të vendit të parë në grup. Golat e Ernest Muçit dhe Rey Manajt vulosën suksesin e kuqezinjve në një mbrëmje të veçantë për tifozët shqiptarë.

Ernest Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 35-të, me një gol spektakolar pas një aksioni të gjatë të Kombëtares. Sulmuesi shqiptar realizoi me shumë klas, duke lënë pa mundësi reagimi portierin finlandez. Një gol që spikati për nga vështirësia dhe bukuria e realizimit, duke kujtuar kandidatët potencialë për çmimin “Puskás” të FIFA-s.

Në minutën e 50-të, Shqipëria dyfishoi avantazhin. Rey Manaj përfitoi nga krosimi i saktë i Elseid Hysajt dhe dërgoi topin në rrjetë, duke çuar rezultatin në 2-0. Finlanda mbeti me dhjetë lojtarë në minutën e 67-të, pas ndërhyrjes së gabuar nga pas të Tehnos, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Në minutat e mbetura, kuqezinjtë administruan me kujdes avantazhin, duke siguruar tri pikë të rëndësishme në rrugëtimin e tyre drejt objektivit. Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe forcon pozitat në grup, duke mbajtur të hapur mundësinë për të siguruar vendin e parë.