SHBA e futbollit të femrave, kampione në fushë, kampione edhe për polemika!

Përfundoi një Botëror i veçantë, me polemikat jashtë fushe. Futbolli është mësuar me debate për golat, penalltitë, gjyqtarët e tani për VAR-in, por Kupa e Botës për femra ishte më shumë politikë, madje si një “luftë civile e re amerikane”. Një konflikt brenda vetë kombit krenar që mbrojti titullin, duke e fituar për herë të katërt, një rekord në rruzull.

Si për ironi të fatit, një nga protagonistet e kësaj lufte ishte kapitenia dhe lojtarja më e mirë e Shteteve të Bashkuara, Megan Rapinou. Futbollistja që fitoi Topin e Artë si lojtarja më e mirë e Kupës së Botës, dhe që po ashtu fitoi Këpucën e Artë me 6 gola të shënuar, nuk mungoi të ishte vetvetja edhe në finale.

Ajo vendosi të mos e këndonte himnin amerikan, në vazhdim të protestës së saj ndaj racizmit dhe pabarazisë mes meshkujve dhe femrave në futboll. Nuk ishte hera e parë që Rapinou injoronte himnin kombëtar. Ajo e kishte bërë edhe herë të tjera, herë duke mos e kënduar, dhe herë duke u ulur në gjunjë.

Kapitenia është shprehur se ajo proteston dhe se i bashkohet protestës së lojtarit të futbollit amerikan, Kolin Këpernik. Këperniku, lojtar i San Franciskos, u ul në gjunjë gjatë vitit 2016, si edhe më pas, si protestë e asaj që ai e quajti racizëm dhe shtypje në Amerikë.

Rapinou është në konflikt verbal edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, pasi deklaroi se nuk kishte ndërmend të shkonte në Shtëpinë e Bardhë, nëse skuadra fitonte Botërorin dhe ftohej për ta vizituar atë. Trampi u përgjigj duke shkruajtur se Rapinou fillimisht duhet të fitojë, pastaj të flasë, si dhe duhet të respektojë Amerikën, himnin e saj dhe Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan bëri urimin e tij pas fitores së Botërorit, por duke mos dashur të bënte polemika në këtë rast. “Urime kombëtares sonë të futbollit të femrave, që fitoi Kupën e Botës, – shkruajti ai në Tuiter, – Një paraqitje e madhe dhe emocionuese. Amerika është krenare për të gjitha ju!

Duket se përplasjet do të vazhdojnë, shprehje e qartë e problemeve, por edhe e tolerancës në Amerikë, ndërsa kombëtarja e femrave duket se do të vazhdojë të fitojë. Që kur u votuan ligjet kundër racizmit gjinor në sport, në fillim të viteve 70-të, vajzat amerikane nisën të merreshin gjithnjë e më shumë me futbollin, duke u shtuar në numër, në ligat universitare, dhe në ato profesioniste. Sot, Shtetet e Bashkuara mund të krahasohen pa frikë me Brazilin në futbollin e meshkujve.

Sfidanti.al