Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e motorsportit. Piloti portugez, Jorge Brandao ka humbur jetën këtë të premte gjatë etapës së pestë dhe të fundit të Rally-t të Marokut, njoftuan organizatorët e garës. Sipas komunikatës zyrtare, aksidenti ndodhi në kilometrin e 214-të, gjatë një segmenti me rërë e duna, në një pistë prej 216 kilometrash me nisje dhe mbërritje në Erfoud. “Më 17 tetor, gjatë etapës së pestë të Rally-t të Marokut, piloti Jorge Brandao, që merrte pjesë për herë të dytë në garë, pësoi një rënie në duna në kilometrin 214,” — bënë të ditur organizatorët.
Brandao, 47 vjeç, ishte pjesëtar i ekipit portugez Old Friends Rally dhe u ndihmua menjëherë nga mjekët në vendngjarje, për t’u transportuar me helikopter drejt spitalit të Erfoud, ku fatkeqësisht ndërroi jetë në orën 13:55. Organizatorët shprehën ngushëllimet e tyre të sinqerta për familjen dhe të afërmit e tij. Biznesmeni portugez kishte debutuar në Rally Dakar 2024, ku mori pjesë si bashkëpilot i spanjollit Carlos Vento në kategorinë T3, por u detyruan të tërhiqeshin në etapën e dytë.
Qëllimi i tij ishte të rikthehej në Dakar 2026, këtë herë si pilot solo në motoçikletë. Për t’u përgatitur, ai kishte marrë pjesë në disa gara, përfshirë Baja Aragón, Rally-n e Portugalisë dhe Rally-n e Marokut, ku fatkeqësisht gjeti vdekjen vetëm dy kilometra larg përfundimit të garës. Një fund tragjik për një pasion që e kishte ndjekur gjithë jetën.
sfidanti.al