Sa më shumë shkarkohen trajnerët nga ekipet në Superligë, aq më e madhe bëhet dashuria e tyre për ..presidentët! Dhe shqiptarë apo të huaj qofshin, sikur janë shkrirë bashkë, kanë një “pasaportë”, fjalët e fundit që thonë ..ia dedikojnë dashurisë për presidentin! Kuptohet, fjalë zemre, që edhe vetë futbolli … do t’i lëshonte goja lëng!
Kushedi sa koka trajnerësh do të “hajë” kjo Superliga e këtij sezoni, e cila ka nisur me “gijotinë” qysh nga java e parë dhe gati çdo javë tehu i saj bëhet gati për tjetrin. Cili i ka radhën? Flitet për trajnerin Zekiç te Partizanit, që edhe pse vetë shfaqet në fushë,valixhet i ka nisur para…
Fjalët e tij tregojnë se orët janë të numëruara: “ Dua të them me sinqeritet , kam respekt të madh për Partizanin dhe për Gazin( presidentin) . Po largohem për arsye personale. Në këto 4 muaj që e njoh presidentin , do të jetë në zemrën time gjithë jetën..”.
Si nuk u gjet një trajner xhanëm, që kur ikën të thotë se futbolli do të mbetet në zemrën e tij dhe jo presidenti ? Apo ky brez trajnerësh , edhe pse më shumë shkarkohen sesa ngarkohen, ndryshe nga baballarët e dikurshëm të stolit, dashurinë për lojën e kanë konvertuar në dashuri për ..pronarin!
Sfidanti.al