Erik ten Hag ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien e tensionuar me Cristiano Ronaldon gjatë periudhës kur të dy punonin tek Manchester United. Në një intervistë për “The Athletic”, trajneri holandez ka kritikuar ashpër përgatitjen fizike dhe angazhimin e yllit portugez, duke e akuzuar se zhgënjeu si ekipin, ashtu edhe atë personalisht.
Ten Hag zbuloi se kishte udhëtuar posaçërisht drejt Portugalisë për t’i prezantuar Ronaldos projektin e tij për Manchester United përpara se të merrte drejtimin e “Djajve të Kuq”. Megjithatë, sipas trajnerit, sjellja dhe paraqitjet e sulmuesit nuk përputheshin me pritshmëritë.
“Ai zhgënjeu ekipin dhe më zhgënjeu edhe mua, sepse kishim plane së bashku. Shkova në Portugali për të folur me të për objektivat e mi. Natyrisht, ai është një nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë. Por ai nuk angazhohej, as me topin dhe as pa të. Nuk vraponte më. Arsyeja ishte se nuk ishte i përgatitur”, deklaroi Ten Hag.

