Italia ka nisur të flasë për Robinho Jr, djalin e ish-sulmuesit brazilian Robinho, i cili ka debutuar zyrtarisht në Serie A me fanellën e Genoas. Në moshën 18-vjeçare, talenti i ri po tërheq vëmendjen falë paraqitjeve dhe golave të shënuar në kampionatin e të rinjve.
Debutimi i tij erdhi më 17 tetor, në përballjen kundër Romës, kur trajneri Daniele De Rossi e aktivizoi në minutën e 83-të. Një moment i veçantë, që ndodhi në të njëjtin stadium ku, 15 vite më parë, babai i tij kishte qenë pranë shënimit të një goli në përballjen mes Romës dhe Milanit. Robinho Jr është formuar në akademinë e Santosit, klub me të cilin ka zhvilluar pjesën më të madhe të karrierës së tij të hershme. Gjatë verës, ai u transferua tek Genoa në formë huazimi njëvjeçar, me mundësi blerjeje për 8 milionë euro.
Përshtatja me futbollin italian duket se po ecën mirë. Me ekipin Primavera të drejtuar nga Domenico Criscito, braziliani ka shënuar tre gola në tri ndeshje, duke treguar aftësi teknike, fantazi dhe personalitet në fushën e lojës. De Rossi ka vlerësuar potencialin e të riut, por mendon se ai duhet të punojë ende për të përmirësuar fizikun dhe për të zhvilluar më tej cilësitë e tij. Sipas vlerësimeve të para, Robinho Jr nuk ka të njëjtën shpejtësi si babai i tij, por zotëron talent dhe kreativitet që mund ta ndihmojnë të ndërtojë rrugën e vet në futbollin profesionist.

