Të gjithë qahen nga arbitrat në Superligë, edhe të humburit edhe të fituarit! Të gjithë bëjnë sikur nuk e dinë që kartat e lojës trazohen lart nëpër zyra, kurse ajo e fushës është maskë që na mbron ..kundër futbollit të ndershëm! Një maskë që na është bërë pjesë e fytyrës dhe nuk na shqitet dot. Dhe në një teatër të tillë grotesk , ku rebelimi është i komanduar , të gjithë shkarkojnë tek arbitrat . Kur të gjithë e dinë se ka një arbitër të madh që kurdis arbitrat e vegjël…
Ku tjetër, në cilën parajsë futbollit, veç Superligës, do të dilte me një shkrim “denoncues” vetë disenjator i arbitrave, siç ndodhi me Sokol Jarecin, duke treguar sekretin që e dinë të gjithë : “ Presidentët i kërcënojnë arbitrat edhe me jetë”. Pse pikërisht në këto momente del një deklaratë e tillë ? Mos vallë ka lidhje me atë që do të ndodhin në javën që do të pasojnë..? Dikur thonim shyqyr që i kemi se futbolli po i ha paratë e shtëpisë, kurse tani zbulojmë zyrtarisht se “vrasin arbitra” me telefon! Mirë që dhunuesit na ikin gjithnjë në adresë të panjohur, s’kanë emra dhe bëmat e tyre tregohen si përralla, por ky zoti Jareci tenton të na bëjë një finte të rrezikshme…
Arbitrat gabokan nga frika e presidentëve të klubeve , pra virusi nuk është brënda në FSHF, por vjen nga jashtë. Sipas “profesor” Jarecit , uji që pijnë arbitrat del i kulluar nga “burimi” që komandohet nga çunat e sistemit, por turbullohet poshtë nga pisllëqet e klubeve. Kjo po që është …haleluja! Si mund të mendohet se anëtari i Komitetit të Ekzekutiv të UEFA-s, apo presidenti me titull “Honoris Causa”, zoti Duka , të ulet aq poshtë, në batakun e marifetit të arbitrave,( për Kombëtaren ia vlen) për të kurdisur intrigën se cilët do të marrin trofetë dhe cilët do të marrin rrugët…
Sfidanti.al