Mbape thyen rekordin e golave në Francë, pastaj kërkon zëvendësim

Nuk duket se pati ndonjë shqetësim kur në minutën e 70-të i bëri shenjë trajnerit Maurisio Poçetino që ta nxirrte nga fusha e lojës. Në vend të tij hyri Nejmar që u kthye pas 6 javësh mungesë për shkak të dëmtimit, por lajmi tek Paris SG dhe në Francë ishte Kilian Mbape, autor i dy golave në stadiumin e Lionit. Jo vetëm për fitoren 4-2 që e ngjiti ekipin kryeqytetas në vendin e parë, por edhe për shkak se Mbape arriti kuotën e 100 golave në kampionat duke qenë më i riu që ia del, përpara sesa të mbushë 22 vjeç. Ai theu rekordin e sulmuesit të Sent Etienit, Erve Reveji të vendosur në 1969. Mbape u bashkua me 89 lojtarë të Ligës së Parë që kanë shënuar 100 e më shumë gola, por do të kërkojë të ngjitet më lart. Atij iu deshën vetëm 142 ndeshje, kur gjithçka nisi në 20 shkurt 2016 me fanelën e Monakos.

Sfidanti.al